Meka: nga elefanti i Abrahasë te vinçi i Bin Ladenit

  • None
nga Olsi Jazexhi | Publikuar në Shta. 28, 2015, mesnatë

Zhvillimet që po ndodhin në qytetin e shenjtë të Mekës në këto vitet e fundit, shumë besimtarë muslimanë po i bindin se koha e shenjave të mëdha të parashikuara nga i dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. po i afrohen botës. Ndërtimet masive që regjimi saudit ka bërë në Mekë në vitet e fundit, duke shkatërruar monumentet osmane sikur kalanë e Axhjadit, ndërtimet abaside në Qabe, dhe shtëpitë e hazreti Ebu Bekrit dhe sejida Hatixhesë - të cilat janë zëvendësuar me qendra biznesi nga kompanitë perëndimore, po i bindin shumë besimtarë muslimanë që regjimi vehabist që sundon Arabinë Saudite po përmbush profecinë e pejgamberit Muhamed, të cilat thonë që përpara fundit të kohës, Qabeja do të prishet.
Pejgamberi Muhamed i ka paralajmëruar muslimanët që përpara fundit të kohës, Qabeja do të shkatërrohet gurë pas guri nga njerëz që do të përfitojnë nga pasuritë e saj. Ajo që po ndodh në ditët tona me Qabenë, ku harami (territori i shenjtë) i Mekës po shkatërrohet metër pas metri nga regjimi saudit, dhe vendet e shenjta ku njëherë e një kohë jetuan sahabët e Muhamedit po kthehen në qendra komerciale të pornostareve amerikane sikur Paris Hilton dhe korporatave sikur Burger King-u, KFC-ja etj, besimtarët muslimanë i bindin që ata po jetojnë në fundin e kohës.
Në momentet që po bëhet ky shkrim, Qabeja e shenjtë është rrethuar nga vinça masivë të kompanisë së familjes së Bin Ladenit, të cilët gërmojnë e shkatërrojnë të kaluarën e shenjtë të qytetit, dhe zëvendësojnë me hotele e qendra komerciale vendet ku 14 shekuj më parë jetoi dhe predikoi i dërguari i Zotit, Muhamedi a.s.. Meka dhe Qabeja e shenjtë të cilat që kur u ndërtuan nga profeti Ibrahim kanë qenë vende meditimi dhe adhurimi, ku njerëzia bënte tavaf (xhiro) përreth shtëpisë së shenjtë, sot janë përmbytur nga betoni dhe xhami i korporatave kapitaliste arabe dhe perëndimore, të cilat po shkatërrojnë ambjentin paqësor të oazit të dikurshëm të Mekës me zhurmën e marrëzisë së parasë dhe perëndimorizimit. Haxhi i cili deri disa vite më parë ishte një përpjekje që besimtarët bënin me mund dhe me fukarallëk për në tokën e shenjtë, sot është kthyer në objekt turizmi dhe luksi, ku kompanitë e haxhit që licenson regjimi saudit u zhvasin haxhijnve shuma marramendëse dollarësh.
Shembulli i shkatërrimit të Mekës, dhe komercializimit të Haxhit, janë edhe kullat e Abraxh al-Baitit, një kompleks hotelesh, qendrash tregtare e rezidencash luksoze që kanë rrethuar Qabenë e shenjtë. Në qendër të tyre qëndron hoteli dhe sahati Fairmont Makkah Clock Royal Tower, i cili është gjashtë herë më i lartë sesa Big Beni i Londrës dhe imiton atë në mënyrë të shëmtuar, si për të dëshmuar perëndimorizimin e zemrës së Islamit dhe nënshtrimin e tij ndaj imperializmit perëndimor. Sahatkulla e Mekës e cila shihet në çdo cep të Mekës, ndërsa i eklipson minaretë e xhamisë së Qabesë dhe vetë shtëpinë e shenjtë, i kanë dhënë Mekës më shumë pamjen e një Las Vegasi sesa të një qyteti në mesin e shkretëtirës, ku besimtarët i luten me përulësi Allahut për mëshirë. Pamja e frikshme e sahatkullës, haxhijtë që mësyjnë Mekën për të vizituar tempullin e Ibrahimit, tanimë u qëndron mbi koka në formë të frikshme. Haxhilerët të cilët që nga koha e profetit Ibrahim i janë drejtuar qiellit të lirë për t'ju lutur Allahut, këtej e tutje qiellin e Mekës nuk e kanë më të lirë. Mbi ta qëndron super sahati që familja beduine saudite ka instaluar në Mekë, e cila u tregon besimtarëve që qielli i Mekës nuk është më i lirë, por është pushtuar nga biznesi që familja e saudëve bën me qytetin e shenjtë dhe besimin e mbi një miliard muslimanësh në botë
Kush ka vizituar Arabinë Saudite dhe di historinë e Islamit, e di që fisi më i shenjtë në Islam janë kurejshët, fisi i profetit Muhamed. Kurejshët përmenden në Kuran në dy sure: në Suren e Elefantit dhe Kurejshët. Në këto dy kapituj, Zoti i tregon njerëzimit sesi Ai e mbrojti Mekën kur një i krishter abisinas, Abrahaja kërkoi ta rrënojë dhe me këtë rast ti konvertoj arabët në të krishterë. Zoti i kujton kurejshët sesi i mbrojti nga konvertimi, ndërsa i apelon që të jenë besimtarë të tij.
Por që prej themelimit të mbretërisë Saudite në vitin 1926, Arabia e pejgamberit Muhamed nuk sundohet më nga kurejshët, por nga tribuja vehabiste e saudëve, të cilët u instaluan në pushtet nga britanikët. Sauditët jo vetëm që dëbuan kurejshët nga pushteti në Arabi, dhe të gjithë Arabinë e bënë pronë të tyre, duke e quajtur monarkinë e tyre absolute Arabia Saudite, por me ideologjinë e tyre vehabiste kanë rrënuar me dhjetra xhami, varreza dhe shtëpi historike që besimtarët muslimanë kanë trashëguar nga pejgamberi Muhamed. Ideologjia që komandon sot shtetin saudit nuk ndryshon shumë nga ideologjia e ISIS-it. Për vehabistët e kaluara duhet rrënuar ndërsa makutëria kapitaliste është hallall. Më këto ide, sundimtarët e sotëm sauditë janë duke rrënuar Mekën historike ashtu sikur edhe ISIS-i shkatërron trashëgiminë kulturore të Sirisë.
Rrëzimi i njërit prej vinçave që rrethojnë Qabenë në 11 shtator 2015 mbi xhaminë e shenjtë, duket sikur të jetë një shenjë mbinatyrore, e ngjashme me atë që Allahu u tregon arabëve në Kuran me suren e Elefantit. Allahu u tregon arabëve sesi Ai shkatërroi një ushtri me elefantë e cila ishte nisur nga Jemeni që të shkatërroj Qabenë e shenjtë. Zoti dërgoi një tufë me zogj të cilët me guralecë që lëshonin nga larg arritën të shkatërrojnë ushtrinë e frikshme të të krishterëve jemenas. Edhe rrëzimi i një prej vinçave të cilët punojnë natë e ditë në Meke për ta betonizuar atë, duket sikur të jetë shenjë nga Allahu, për arabët dhe muslimanët e mbarë botës. Nëse përpara 1500 vitesh Qabeja kërcënohej nga ushtria e elefantit të Abrahasë, sot ajo kërcënohet nga ushtria e kapitalizmit që po e kthen qytetin e shenjtë të Islamit në një qendër biznesi.
Rënia e vinçit të Mekës, stampida e besimtarëve që ndodhi në Qabe në 23 shtator 2015 e nxitur nga dhuna e familjes së saudëve, dhe aksidentet e shumta që po ndodhin në Mekë në vitet e fundit tregojnë që familja e saudëve po sillet me xhaminë e shenjtë të Mekës sikur Abrahaja në kohën kur lindi Muhamedi a.s. Rrënimi që vehabistët sauditë, por edhe ISIS-i po i bëjnë historisë së Islamit që nga Siria e deri në Arabinë Saudite i ngjajnë përpjekjes së Abrahasë për të rrënuar tempullin e Ibrahimit në Meke 1500 vite më parë dhe konvertuar arabët në një fe të re. Por ashtu sikur Abrahaja dështoi të prishë besimin e Ibrahimit, edhe vehabistët e ISIS-it dhe Arabisë Saudite do të dështojnë që të prishin Islamin me shkatërrimet që po i bëjnë tokës së shenjtë në ditët tona.


Burimi : Gazeta İmpakt