Kisha e Dhërmiut dhe kërcënimi i katolaicizmit shqiptar

  • None
nga Olsi Jazexhi | Publikuar në Gus. 27, 2015, mesnatë

1.

Sulmi fetar që qeveria Rama ndërmorri kundër Kishës Ortodokse në Dhërmi sot ka tronditur opinionin shqiptar. Tronditja është e shumanëshmë. Në njërën anë nacionalistët dhe mbështetësit e kryeministrit Rama këtë sulm e shohin si triumf apo më saktë hakmarrje mbi helenizmin. Ka të tjerë që e shohin si triumf të katoliçizmit mbi ortodoksinë. Por ka edhe shumë të tjerë, e sidomos besimtarët ortodoks shqiptarë që e shohin si një agresion të hapur nga qeveria katolike e Rilindjes kundër fesë së tyre.

2.

Rrënimi që qeveria Rama i bëri kishës së Shën Athanasit në Dhërmi, nuk është sulmi i vetëm që qeveria katolike e Edi Ramës i ka bërë tolerancës fetare në Shqipëri. Që prej ardhjes së saj në pushtet qeveria Rama ka bërë disa sulme kundër komuniteteve dhe bashkëjetesës fetare të vendit tonë. Këtu lë të përmendim shkarazi sesi me fondet e shtetit tonë laik, kryeministri Rama solli Papën në Tiranë dhe çoi qeverinë e tij në Vatikan që të marri bekimin e Kishës Katolike. Për herë të parë që nga koha e komunizmit, në vitin 2014 qeveria e Edi Ramës bëri arrestimin e parë masiv të besimtarëve muslimanë ku pasi dhunoi disa xhami në të gjithë vendin, arrestoi dhjetra besimtarë dhe dy hoxhallarë të cilët mbahen në burgje deri në këtë moment. Në përgjigje ndaj luftës së amerikanëve në Siri, qeveria Rama ka vënë të gjithë policinë e shtetit në gatishmëri për të survejuar xhamitë dhe spiunuar të gjithë muslimanët nën pretekstin e terrorizmit. E në anën tjetër, qeveria shqiptare e ka mbushur vendin tonë me terroristë iranianë të grupit Moxhahedin el-Halk dhe ka armatosur grupe terroriste kurde në Irak dhe në Siri.

Përpos arrestimit masiv të muslimanëve dhe bashkëpunimit me terrorizmin ndërkombëtar, kur Papë Bergolio vizitoi Tiranën në 2014, kryeministri Rama, për herë të parë në historinë e vendit tonë i deklaroi hapur të gjithë botës që Shqipëria nuk është vend musliman edhe pse në fakt, akoma shumica e popullsisë së Shqipërisë i përket fesë muslimane. Kolegu i tij Ilir Meta e largoi Shqipërinë nga Konferenca Islamike edhe pse qeveria Rama e çoi qeverinë e tij në Vatikan.

3.

Sulmet e qeverisë Rama kundër fesë dhe tolerancës fetare në Shqipëri nuk kanë ardhur vetëm nga kryeministri. Miqtë dhe këshilltarët e tij më të ngushtë, që nga Artan Shkreli, Maks Velo, Sandër Lleshi etj në mënyrë të vazhdueshme kanë sulmuar komunitetet fetare jo-katolike në vendin tonë. Kanë sulmuar historinë e Shqipërisë të cilën në mënyrë të vazhdueshme e tregojnë si të lidhur me Katoliçizmin, duke përjashtuar kështu Islamin dhe Ortodoksinë. Kur në shtator 2014 në Tiranë erdhi Papa i Romës, ministrat, këshilltarët dhe kolegët e kryeministrit Rama u rreshtuan të gjithë në meshën e Papës dhe para kamerave i treguan të gjithë shqiptarëve që nuk janë laikë, por janë besimtarë të betuar katolikë.

Por megjithatë, nëse deri më sot qeveria Rama sulmet më së shumti i ka drejtuar kundër muslimanëve në emër të Perëndimit, luftës kundër terrorizmit dhe Evropës (e cila portretizohet si e krishterë në hartat që Artan Shkreli i ka vënë kryeministrisë), sulmi më i fundëm që qeveria Rama ka bërë kundër Kishës Ortodokse në Dhërmi është i papreçedent. Edhe pse propaganda nacionaliste shqiptare ka qejf ti protretizojë si grekë, komuniteti ortodoks në Shqipëri është i urtë dhe paqësor. Me në krye peshkopin Janullatos ata janë munduar në këto 20 vitet e fundit të ringjallin komunitetin e tyre, i cili, si pasojë e lidhjeve me Greqinë, shpesh është gjendur i anatemuar për keq.

4.

Sulmi që qeveria Rama ndërmori kundër Kishës së Shën Athanasit sot në Dhërmi, është shqetësues për dy arsye kryesore. Arsyeja e parë ka lidhje me laicizmin apo shekullarizmin e shtetit shqiptar. Ndërsa deri më sot, këshilltarët dhe shokët e kryeministrit Rama, fondamentalizmin e tyre katolik e lëshonin më shumë si skizofreni personale, sulmi që shteti shqiptar ndërmorri në Dhërmi është rrëfyer nga të fundit si një sulm fetar. I pari që na tregoi në media që kisha e Dhërmiut nuk po rrëzohej për arsye laike (ndërtim pa leje), por për hir të katoliçizmit dhe për të nderuar një prift katolik, ishte këshilltari i kryeministrit për kulturën, Artan Shkreli i cili u prononcua i pari për këtë sulm. Në daljen e tij publike ai shpjegoi që Kisha Ortodokse në Dhërmi do të rrënohej për të nxjerrë eshtrat e një misionari katolik të vdekur. Këtë fakt e përforcoi edhe miku i ngushtë i Edi Ramës, Koço Kokëdhima i cili në një shkrim që botoi në gazetën Shekulli shpjegoi që Bashkia e Himarës kishte rënë dakord për të shembur Kishën Ortodokse të Shën Athanasit, gjetur eshtrat e misionarit katolik Nil Katalani dhe ndërtuar një kult katolik mbi kultin e ortodoksëve. Kokëdhima tregoi që në këtë projekt ishte përfshirë shteti shqiptar dhe italian. Profesorati i Universitetit të Vlorës, profesorët italianë Francesko Altimari, Mateo Mandala, Stefano Parenti e Giovanni Cimbalo; si dhe disa studiues të tjerë nën kujdestarinë Edi Ramës do të organizonin një konferencë për të nderuar misionarët katolikë që janë munduar të prozelitojnë ortodoksët.

Faktet që Kokëdhima dhe Shkreli shpallën me arrogancë në media, ndërsa i sqaruan opinionit tonë publik që shteti ynë nuk është më laik, por është kato-laik dhe ka hedhur para, profesorë, dhe buldozerë për të rrënuar një objekt kulti ortodoks dhe zëvendësuar atë me një katolik; i treguan opinionit publik edhe mos respektin total që qeveria shqiptare ka për Kishën Ortodokse, ligjin dhe akordet që ajo ka me këtë institucion të rëndësishëm fetar. Edhe pse Kisha Ortodokse protestoi në mënyrë të vazhdueshme kundër dhunimit të kultit të saj, edhe pse shteti grek i kujtoi qeverisë së Tiranës që të respektoj të drejtat e minoritarëve grekë, qeveria Rama vazhdoi me të vetën. Ajo shëmbi në mënyrë tinzare Kishën e Shën Athanasit dhe mesa duket do të vazhdoj me ngulm të ndërtoj një kult për prozelitin katolik Nil Katalani në Himarë, duke ofenduar kështu disa qindra mijëra ortodoksë në të gjithë vendin.

5.

Miqtë e mi ortodoksë, me të cilët kam biseduar këto ditë më thonë që Kisha Ortodokse do të ankohet pranë Bashkimit Evropjan për dhunën fetare që qeveria Rama po kryen kundër fesë së tyre. Ndërsa unë shpresoj që Bashkimi Evropjan dhe instancat e tjera ndërkombëtare të reagojnë sa më shpejt për të ndaluar kryqëzatën katolike që kryeministri Rama po kryen kundër ortodoksëve në jug, unë do të doja që edhe ambasada amerikane të bentë një gjë të këtillë. Kuptohet që unë nuk do të doja që amerikanët të përdorin dronet siç bëjnë në Siri, për të ndaluar shkatërruesit e kishave, por të doja që ambasador Lu-ja që u flet muslimanëve natë e ditë për tolerancën fetare, një gjë të këtillë ta bënte edhe me kryeministrin tonë dhe stafin e tij ekstremist katolik. 

Por më shumë në këtë debat unë do të doja që të reagonte shoqëria civile shqiptare. Ajo duhet të protestojë kundër kato-laicizmit të qeverisë Rama dhe të mbrojë me vendosmëri shekullarizmin dhe largimin e politikës nga feja. Shoqëria jonë, kryeministrin tonë katolik duhet ta pyesi për paratë që ai harxhoi për të sjellë Papën në Tiranë, dizanjimin e kryeministrisë së tij si një kishë katolike, dhe ti kërkojë llogari për fondamentalistët katolikë sikur Artan Shkreli me shokë që ai mban rreth vetes. Ne duhet ta pyesim kryeministrin Rama, nëse shteti që ai drejton është shtet shekullar apo fetar katolik?

Nëse është shtet katolik, atëherë muslimanët dhe ortodoksët e Shqipërisë duhet ta kuptojnë që jemi duke jetuar në kohën e Haxhi Qamilit dhe Spiro Milos. Por nësë kryeministri ynë do të na thotë që jetojmë ende në një shtet shekullar ku shteti është i ndarë nga politika, atëherë ne duhet ti kërkojmë llogari kryeministrit tonë për kishën e Dhërmiut dhe incidentet e tjera fetare që ai ka kryer në muajt e fundit.