Katolikët në botë: Më 2018, 1 miliard e 329 milion

Publikuar në Tet. 16, 2020, 12:37 a.m.

Publikohen statistikat e pranisë së katolikëve në botë që nga fillimi i papnisë së Françeskut e deri në vitin 2018. Konfirmohet prirja për rritjen e numrit në Afrikë, ndërsa në Evropë, vijon të ulet.

Është periudha pesë-vjeçare që sapo ka kaluar, duke nisur nga fillimi i papnisë së Françeskut, ajo që shqyrtohet nga Vjetari Statistikor i Kishës. Nga viti 2013 deri në vitin 2018, katolikët e pagëzuar në të gjithë botën kaluan nga pak më shumë se një miliard e 254 milion në rreth një miliard e 329 milion, me një rritje prej 6%. Duke krahasuar këto të dhëna me zhvillimin e popullsisë botërore, e cila në të njëjtën periudhë kaloi nga 7 miliard e 94 milion në 7 miliard e 496 milion, vërehet se prania relative e katolikëve është rritur pak (nga 17.68% në 17.73%).

Shpërndarja e katolikëve në 5 kontinentet

Analiza gjeografike e variacioneve në periudhën e shqyrtuar tregon një rritje të konsiderueshme prej rreth 18% të katolikëve në Afrikë, në krahasim me një rritje të popullsisë prej rreth 15%. Kjo tregon se veprimtaria baritore në kontinent ka qenë mjaft e frytshme. Edhe në kontinentin amerikan ka pasur një rritje më të lartë të katolikëve nëkrahasim me popullsinë (4.6% kundrejt 4.4%). E rritjes së katolikëve edhe në Azi, krahasuar me atë të popullsisë (7.6% kundrejt 4.4%) i kundërvihet Evropa me një rënie prej 0.4%. Ndërkaq, në Oqeani, ka një rritje të konsiderueshme të katolikëve krahasuar me atë të banorëve (9.6% kundrejt 8.1%).

Katolikët në rritje në Afrikë dhe në Amerikë

Prania e katolikëve, në fund të vitit 2018, është e ndryshme në zona të ndryshme gjeografike: kalohet nga 63.7% katolikë në popullsinë amerikane, në 39.7% në Evropë e deri në 3.3% në Azi. Nëse prania e katolikëve në nivel planetar rezulton e qëndrueshme, në secilën zonë kontinentale - veçanërisht në Afrikë dhe në Amerikë – kemi një prirje drejt rritjes së ngadaltë. Rezultati, në dukje kontradiktor, mund t’i atribuohet epërsisë demografike të Azisë, ku prania katolike duket e vogël.



Burimi : Radio Vatikan