Vatikan, 4 raste me Covid-19 ndër Rojet Zvicerane

Publikuar në Tet. 13, 2020, 4:18 a.m.

Është fjala për ushtarë me simptoma, tashmë në izolim. Salla e Shtypit e Vatikanit njofton se po bëhen kontrolle të tjera për të identifikuar infeksione të mundshme. Me koronavirus, edhe tre rezidentë të tjerë të Vatikanit.

Koronavirusi rikthehet në Vatikan. Gjatë fundjavës, deklaroi për gazetarët drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, u gjetën 4 raste me koronavirus ndërmjet Rojeve Zvicerane.    Aktualisht, pohoi ai, të gjithë kanë “simptoma e janë izoluar”. Gjatë këtyre orëve, vazhdoi Bruni, “po kryhen kontrollet e nevojshme ndërmjet njerëzve, që mund të kenë pasur kontakte të drejtpërdrejta me ta. Ndërkohë, sipas dispozitave të Guvernatoratit të Qytet-Shtetit të Vatikanit, njoftuar javën e kaluar, të gjitha rojet, në detyrë ose jo, mbajnë maska, jashtë dhe brenda, duke respektuar masat shëndetësore”.

Drejtori i Sallës së Shtypit shtoi se katër rojet u shtohen “tre rasteve të tjera me koronavirus, ndërmjet banorëve dhe qytetarëve të Vatikanit, të gjithë me simptoma të lehta. Për ta - përfundoi Bruni - janë marrë të gjitha masat e nevojshme për izolimin në shtëpi”, si edhe po vijon “verifikimi i personave të përfshirë”.



Burimi : Radio Vatikan