Rreth Vlerës së Gruas në Islam

nga Valbona İsmaili | Publikuar në Dhj. 25, 2018, 8:59 p.m.

Historia njerëzore është e pamundur pa gruan dhe roli i saj në jetën e shoqërive dhe në krijimin e civilizimeve është i pazëvendësueshëm. Gruaja ka qenë në frontin e parë të luftës për mbijetesë në kushtet e emergjencës në shoqëritë primitive. Sigurimi i ushqimit për konsum ka qenë detyra e saj kryesore dhe në këtë mënyrë ajo ka fituar në emër të racës njerëzore luftën e mbijetesës me natyrën falë aftësive të saj të jashtëzakonsme. Kështu ajo ka mundësuar kalimin e bashkësisë njerëzore nga epoka e paracivilizimit në epokën e civilizimit. Pra rëndësia e gruas, femrës është sa vlera e civlizimit njerëzor.

Në librat e shenjta, sidomos në Kur’anin Famëlartë, gruaja zë një vend tejet të posaçëm dhe qëndror. Kur’ani Famëlartë flet për gruan si shembull i të gjithë besimtarëve, përfshirë burrat dhe gratë. Në shumë ajete kuranore shtjellohen dispozita në lidhje me gratë, çfarë tregon rëndësinë që i jep asaj feja islame. Sipas Kur’anit Famëlartë krijimi i gruas (roli i saj në shoqëri) është parësor në disa aspekte.

Në parim feja islame shpalos një pikëpamje tejet realiste për familjen dhe beson se burri dhe gruaja bashkarisht formojnë një njësi (entitet) të plotë, të quajtur familja dhe vetëm brenda në të burri dhe gruaja plotësohen, dhe këta të dy janë komplementarë për njëri – tjetrin dhe plotësojnë mangësitë ekzistenciale të njëri – tjetrit. Sipas kësaj pkëpamjeje as burri nuk është i plotë pa gruan dhe as gruaja e plotë pa burrin.

Në Kur’anin Fisnik gruaja është garantuesja e prehjes, e qetësisë pra mirëqënies mendore, emocionale, shpirtërore dhe psikike të burrit dhe familjes dhe po thotë: “Dhe nga faktet e (madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë ...” (sure Er – Rrum/ 21).

 Sipas Profetit të Islamit ka një lidhje reciproke dhe të pakëputshme mes besmit në Zot dhe dashurisë ndaj gruas. Ai thotë: “Sa më shumë që të shtohet besimi i njeriut (burrit) aq më shumë i shtohet dhe dashuria e tij ndaj gruas”. Kjo thënie profetike dhe sakrale është një mrekulli me vete dhe perlë e cila vetiu dëshmon për vërtetësinë e profetësisë së Muhamedit (s.a.a.), sepse është një pikëpamje e padëgjuar deri në atë kohë dhe për nga kuptimi nuk ka të ngjashëm për nga thellësia.

 Mësimet e shenjta islame janë tejet të prekshme dhe realiste. Ato kanë të bëjnë me nevojat reale të njerëzmit dhe burojnë nga një njohje e thellë ndaj njeriut, të mundësuar  nga vetë Krijuesi i njeriut. Në këto mësime spikat  vlera e jashtëzakonshme e gruas, ku besimi në Zot plotësohet me anë të dashurisë ndaj bashkëshortes si dhe me anë të respektit ndaj prindërve, sidomos nënës.